Dokumentari, titulluar “Zanimljivosti”, sjell deklarata të intelektualëve, politikanëve dhe analistëve serbë që kundërshtojnë versionin zyrtar mbi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Ai thekson se lufta dhe ideologjitë e viteve ’90 vazhdojnë të ndikojnë në politikë, media dhe kujtesën kolektive. Autorët deklarojnë se dokumentari nuk akuzon, por prezanton fakte dhe opinione nga figura publike serbe, duke rrëzuar mite të ndërtuara.
Një temë kyçe është vlerësimi i luftërave të viteve ’90, ku argumentohet se Serbia nuk arriti objektivat politike në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Qytetarë serbë të intervistuar pranojnë se vendi humbi konfliktet. Dramaturgia Biljana Srbljanoviq shprehet se Serbia e humbi luftën në Kosovë dhe duhet ta pranojë realitetin. Ajo thekson se Kosova është një shtet i pavarur dhe qytetarët e saj duhet të kenë të drejta të barabarta.
Dokumentari trajton edhe statusin e Republikës Srpska. Profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviq, deklaron se ajo ekziston vetëm brenda Bosnjës dhe Hercegovinës, bazuar në Marrëveshjen e Dejtonit. Sipas tij, një shtet i pavarur i Republikës Srpska nuk mund të ekzistojë, pasi entiteti u krijua si rezultat i pastrimit etnik dhe gjenocidit.
Ngjarjet e korrikut 1995 në Srebrenicë zënë një vend të rëndësishëm. Vendimet e gjykatave ndërkombëtare e kanë cilësuar atë që ndodhi atje si gjenocid, fakt juridik. Politikani Nenad Çanak thekson se gjenocidi u krye nga formacione të caktuara ushtarake, jo nga i gjithë populli serb. Dokumentari rikujton edhe Memorandumin e SANU-së të vitit 1986, si faktor ndikues në mobilizimin politik të viteve ’90. Ai mbyllet me mesazhin se e vërteta historike pret të thuhet për të ndërtuar një të ardhme ndryshe.