Administrata Doganore Shqiptare dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë forcuar bashkëpunimin me zbatimin e një Protokolli të ri. Ky dokument detajon Marrëveshjen Ndërqeveritare për Kontrollet e Përbashkëta Kufitare.

Protokolli i ri synon rritjen e efikasitetit të kontrolleve doganore, lehtësimin e tregtisë dhe përmirësimin e menaxhimit të kufirit. Ai është hartuar në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe objektivat e integrimit rajonal.

Delegacionet e të dy administratave, të udhëhequra nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Besmir Beja, dhe Drejtori i Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikolovski, vizituan pikën kufitare Qafë Thanë–Qafasan. Ata diskutuan zbatimin praktik të marrëveshjes dhe përfundimin e Protokollit, ndërsa ishin të pranishëm edhe përfaqësues të misioneve të OSBE-së në të dyja vendet.

Drejtori Beja theksoi se bashkëpunimi sjell përfitime direkte për qytetarët dhe biznesin. Ai shtoi se Protokolli do të harmonizojë procedurat doganore, do të koordinojë përdorimin e burimeve dhe do të forcojë kontrollet, duke lehtësuar tregtinë e ligjshme dhe lëvizjen e udhëtarëve.

Nikolovski vlerësoi bashkëpunimin e lartë, duke theksuar se Protokolli do të ulë kohën e pritjes në kufi, do të përshpejtojë flukset tregtare dhe do të rrisë besimin e komunitetit të biznesit. Përfaqësuesit e OSBE-së e përshëndetën nismën si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe sigurisë rajonale.

Protokolli i ri pasqyron angazhimin e përbashkët për modernizimin e procedurave kufitare, rritjen e efikasitetit operacional, forcimin e sigurisë dhe lehtësimin e tregtisë, duke mbështetur zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të rajonit.