Gjatë kontrolleve rutinë në pikën kufitare në Han të Elezit, Dogana e Kosovës ka sekuestruar 29,900 euro cash dhe mallra komerciale të padeklaruara. Ky zbulim u bë në një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut, ku paratë u gjetën te drejtuesi dhe menaxheri.

Sipas njoftimit të Doganës, përveç parave, u gjet edhe një sasi malli me natyrë komerciale që nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve doganore. Malli, mjetet monetare dhe automjeti janë sekuestruar për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Dogana thekson se mosdeklarimi i mallrave dhe i mjeteve monetare është kundërvajtje doganore. Legjislacioni në fuqi kërkon deklarimin e çdo shume prej 10,000 eurosh ose më shumë, kur një person hyn apo del nga Kosova. Mosdeklarimi i këtyre shumave sjell masa administrative, përfshirë konfiskimin e përkohshëm të mjeteve monetare dhe procedura të tjera ligjore.