Një sasi prej 23,500 eurosh në para të padeklaruara u zbulua nga Dogana e Kosovës në Merdarë. Rasti ndodhi gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar.
Automjeti u përzgjodh për kontroll bazuar në analizën e riskut. Pas intervistimit fillestar, automjeti iu nënshtrua një kontrolli të detajuar në vijën e dytë nga zyrtarët doganorë dhe Policia Kufitare. U gjetën 10,000 euro në çantën personale të udhëtarit dhe 13,500 euro të tjera ishin fshehur në zarfe brenda një ndarjeje të automjetit.
Personi posedonte dokumente që vërtetonin prejardhjen e ligjshme të parave, duke përfshirë një kontratë noteriale për shitblerje prone dhe dëshmi tërheqjeje bankare. Rasti iu referua Hetimeve Doganore. Për shkak të mosdeklarimit, u ndaluan 25% e shumës, ndërsa pjesa tjetër iu kthye pronarit, sipas legjislacionit në fuqi.
Dogana rikujton detyrimin ligjor për çdo person që kalon kufirin me 10,000 euro ose më shumë, për t'i deklaruar ato. Mosdeklarimi përbën kundërvajtje dhe mund të sjellë masa ligjore, duke përfshirë ndalimin ose konfiskimin e një pjese të parave.