Gjatë një kontrolli rutinë në Pikën Kufitare Hani i Elezit, Dogana e Kosovës zbuloi mallra me natyrë komerciale dhe 29,900 euro para të gatshme të padeklaruara. Një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut u përzgjodh për kontroll bazuar në analizën e riskut.

Fillimisht, drejtuesi i automjetit deklaroi se nuk posedonte as mall e as mjete monetare për deklarim. Megjithatë, gjatë kontrollit fizik u konstatua një sasi malli tregtar, e cila nuk ishte deklaruar. Po ashtu, gjatë kontrollit të drejtuesit dhe pasagjerit, u gjetën 29,900 euro para të gatshme, gjithashtu të padeklaruara.

Legjislacioni në fuqi detyron deklarimin e mallrave dhe mjeteve monetare mbi pragun ligjor. Çdo person që hyn ose del nga Kosova me 10,000 euro ose më shumë, ose kundërvlerën e tyre, detyrohet t'i deklarojë ato te autoritetet doganore. Në këtë rast, Dogana sekuestroi mallin, mjetet monetare dhe automjetin. Ndaj palës do të zhvillohen procedurat ligjore përkatëse.