Gjatë vizitës, familjes iu dorëzua medalja e mirënjohjes për inspektorin Mekolli dhe dokumentacioni i statusit të djalit. Gjithashtu, familjes iu dha një ndihmë financiare prej 7 milionë lekësh të rinj, kontribut i punonjësve të Policisë së Shtetit.
Skënder Hita theksoi se institucionet do të qëndrojnë pranë familjes, duke ofruar mbështetje të plotë për djalin në arsim, shëndetësi dhe përkujdesje sociale. Djali do të përfitojë pagën e plotë të Eneas deri në përfundimin e arsimit të lartë, arsim dhe shërbim shëndetësor falas, si dhe të gjitha të drejtat ligjore.
Inspektori Enea Mekolli humbi jetën më 4 qershor në Maliq të Korçës, gjatë një aksioni për kapjen e një personi të shpallur në kërkim. Gjatë të njëjtit aksion, u plagos edhe kolegu i tij, Edison Adri.
Familjarët falënderuan drejtorin Hita dhe të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin e treguar.