Komuna e Dibrës, bazuar në vlerësimet e Komisionit Komunal për Siguri në Komunikacion, ka nisur aktivitetet për përmirësimin e sinjalizimit horizontal dhe vertikal. Qëllimi është rritja e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, si drejtuesit e automjeteve, ashtu edhe këmbësorët.
Aktualisht po kryhet vijëzimi i rrugëve. Së shpejti do të realizohet edhe riparimi dhe vendosja e sinjalizimit vertikal të dëmtuar ose të munguar. Kryetari i Komisionit Komunal për Siguri në Komunikacion, Abdul Koleci, deklaroi se gjendja e sinjalizimit horizontal dhe vertikal në qytet ishte me dëmtime të konsiderueshme, duke krijuar vështirësi dhe pasiguri.
Një risi për qytetin e Dibrës është vendosja, për herë të parë, e pasqyrave të sigurisë në disa pika problematike. Këto pasqyra do të ndihmojnë në rritjen e sigurisë, veçanërisht në kryqëzimet me fushëpamje të kufizuar. Projekti merr parasysh edhe fluksin e lartë të automjeteve për shkak të rrugës ndërkombëtare që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë.
Autoritetet komunale theksojnë angazhimin e Komunës së Dibrës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të sigurta për qytetarët.