Organizatat e diasporës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë UKAP Foundation dhe British Albanian Culture & Arts Association, i kanë dërguar një letër të hapur qeverisë dhe parlamentit shqiptar. Në këtë letër, të cilën e ka shpërndarë edhe shkrimtarja Lea Ypi, diaspora mbështet protestat qytetare dhe dënon dhunën policore ndaj pjesëmarrësve.
Organizatat theksojnë se protestat paqësore janë një shprehje e demokracisë dhe e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të kërkuar llogari nga institucionet. Në letër theksohet se në protesta marrin pjesë të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, të cilët mbrojnë pasuritë natyrore, hapësirat publike dhe të drejtën për t'u dëgjuar.
Letra përmban katër kërkesa kryesore drejtuar qeverisë shqiptare:
- Transparencë të plotë për ligjet, vendimet dhe kontratat që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore.
- Llogaridhënie për shitjen ose dhënien me koncesion të pasurive shtetërore, me konsultim publik dhe mbikëqyrje parlamentare.
- Mbrojtjen e interesit publik si parim themelor në politikat e zhvillimit ekonomik.
- Nisjen e një dialogu të vërtetë dhe konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe protestuesit.