Në fjalën e tyre nga podiumi para Kryeministrisë, ata e akuzuan qeverinë për shkelje të të drejtave të njeriut. Një prej përfaqësuesve kërkoi lirimin e protestuesve të arrestuar gjatë përplasjeve me policinë.

Ai iu drejtua kryeministrit me cilësimet “mbret pa kurorë” dhe “Don Kishot”, duke e akuzuar se po krijon armiq të sajuar për të shmangur përgjegjësinë. Përfaqësuesi i diasporës theksoi se Kryeministri, së bashku me Taulant Ballën, kanë treguar mungesë respekti për ligjin. Sipas tij, Shqipëria, si anëtare e Konventës së të Drejtave të Njeriut, ka shkelur nenet 11, 10 dhe 3 të saj.

“Betejën s’e ke me agjentë të huaj por me shqiptarët,” tha ai, duke theksuar se diaspora dhe shqiptarët brenda vendit janë bashkuar. Ata i vendosën kryeministrit kushtin: dorëhiqet. “Na erdhe si shpresë, por je bërë zhgënjim. Hapi rrugë proceseve demokratike t’i japim fund tranzicionit. Dorëhiqu sa nuk është vonë,” përfundoi përfaqësuesi.