Protesta e 35-të kombëtare kundër qeverisë u shoqërua me mesazhe të forta nga shqiptarët e diasporës. Një përfaqësues i tyre u shpreh se përpjekjet për të penguar pjesëmarrjen në protestë kanë dështuar. Ai theksoi se asnjë përpjekje intimiduese nuk do t'i ndalë, pasi atdhedashuria është më e madhe se frika.

Përfaqësuesi kujtoi edhe protestuesin Arbër Lleshi, i cili ndodhet në burg pas protestave të mëparshme. Ai shtoi se arrestimet nuk do të shuajnë revoltën qytetare. Mes duartrokitjeve, ai deklaroi se protestuesit do të qëndrojnë të bashkuar dhe nuk do të dorëzohen derisa të largohet qeveria. Ai përmendi gjithashtu thirrjen kryesore të ditës: “Lironi çunat!”