Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në vitin 2025 u regjistruan 241 vdekje nga sëmundjet endokrine dhe çrregullimet e të ushqyerit. Kjo kategori përfshin sëmundjet e sistemit endokrin, çrregullimet metabolike dhe ato të lidhura me ushqyerjen, ku diabeti është më i përhapuri.

Rritje më të madhe të rasteve shënuan Elbasani, Vlora dhe Durrësi. Elbasani regjistroi 25 vdekje nga 14 në vitin 2024, Vlora 14 nga 4, ndërsa Durrësi 20 nga 13. Rritje u vunë re edhe në Dibër, Gjirokastër dhe Fier. Tirana vijoi të kishte numrin më të lartë të vdekjeve me 48 raste, megjithëse shënoi një rënie prej 11.1% krahasuar me vitin e kaluar.

Faktorët kryesorë të rritjes së vdekshmërisë janë plakja e popullsisë, rritja e mbipeshës dhe obezitetit, ushqyerja jo e shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik. Këto shkaktojnë shtimin e rasteve me diabet tip 2. Shumë pacientë nuk humbin jetën direkt nga diabeti, por nga komplikacionet e tij si sëmundjet kardiovaskulare, dëmtimi i veshkave, goditjet në tru ose infeksionet e rënda.

Vdekjet rriten edhe kur sëmundja diagnostikohet me vonesë ose nuk mbahet nën kontroll. Kjo situatë kërkon një kontroll më të mirë të sëmundjeve kronike, diagnostikim të hershëm dhe ndjekje më të rregullt të pacientëve.