Një nënë nga Fieri ka reaguar pas publikimit të një videoje ku shfaqej e bija e saj 17-vjeçare duke u dhunuar fizikisht nga tri vajza brenda një banese. Ajo u shpreh e tmerruar nga pamjet dhe i bëri apel institucioneve të drejtësisë të ndjekin me përpikëri çështjen.

Nëna deklaroi se nuk kishte dijeni për ndonjë konflikt të mëparshëm të vajzës. Ajo shpjegoi se prej një muaji nuk flinte dot, duke parë vazhdimisht videon ku vajza i kërkonte ndihmë. Sipas saj, e bija ishte e thjeshtë dhe merrej me punët e veta. Ajo shton se kohët e fundit vajza kishte pasur probleme shëndetësore, i binte të fikët në shkollë dhe flinte gjatë gjithë ditës, ndërsa shihte shpesh nga rruga me frikë, duke thënë "erdhën, erdhën".

Nëna e 17-vjeçares theksoi se nuk do të falë autorët dhe shprehu dhimbjen e madhe që po përjetonte. Ajo ka tri vajza dhe pohon se qan fshehurazi për të mos i shqetësuar ato.