Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se pas zbardhjes së plotë të rastit do të ngrihen kallëzime penale. Një grua 31-vjeçare denoncoi më 1 korrik 2026 në SPB Shkup se vajza e saj 12-vjeçare ishte sulmuar fizikisht më 30 qershor, rreth orës 22:00, në një park në Aerodrom.

Sipas njoftimit të MPB-së, vajza 12-vjeçare u detyrua fillimisht dy herë nga një e mitur 14-vjeçare, e shoqëruar nga një shoqe, të gjunjëzohej dhe të kërkonte falje. Pas largimit nga vendi i ngjarjes, ajo u sulmua fizikisht nga një tjetër e mitur. Incidenti u incizua me telefon nga disa të mitur, ndërsa viktima njihte një prej tyre. Po atë ditë, dy të mitura u morën në pyetje në stacionin policor, në prani të prindërve të tyre.

Për rastin u njoftua prokurori publik për të mitur dhe Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale. MPB po ndërmerr veprime për identifikimin e të miturve të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e rastit. Më pas do të paraqiten kallëzime penale për veprat “Dhunë”, sipas nenit 386, dhe “Neglizhimi dhe keqtrajtimi i të miturit”, sipas nenit 201 të Kodit Penal.