E ardhmja e Julian Nagelsmann si trajner i Kombëtares së Gjermanisë është vënë në pikëpyetje serioze pas eliminimit zhgënjyes nga Kupa e Botës. Drejtuesit e DFB-së i kanë ofruar trajnerit mundësinë që të largohet me dorëheqje, dy vjet para përfundimit të kontratës së tij.

Një takim tre-orësh është zhvilluar mes Nagelsmannit dhe krerëve të DFB-së, ku ishin të pranishëm presidenti Bernd Neuendorf, Hans-Joachim Watzke, Rudi Völler dhe Andreas Rettig. Diskutimi kryesor ishte e ardhmja e përzgjedhësit pas humbjes ndaj Paraguait në raundin e 16-të të Kupës së Botës.

Federata i ka dhënë Nagelsmannit kohë për të vendosur. Nëse ai nuk pranon të japë dorëheqjen, DFB mund të aktivizojë klauzolën për ndërprerjen e kontratës. Kjo do të detyronte federatën t'i paguante Nagelsmannit rreth 7 milionë euro dëmshpërblim për ndërprerjen e parakohshme të marrëveshjes.

Vendimi përfundimtar pritet të merret në fillim të javës së ardhshme. Ndërkohë, Jurgen Klopp përmendet si kandidati kryesor për ta zëvendësuar Nagelsmannin.