Gazmir Mediu, me shtetësi shqiptare dhe britanike, u dënua për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”. Punimet e dyshuara u konstatuan më 16 maj 2023, në lagjen Nr. 2, Ksamil, nga specialisti i Policisë së Rendit.

Objekti dykatësh, i ndërtuar me beton dhe kolona, u vu në funksion si hotel. Edhe pse i dyshuari u arrestua fillimisht në flagrancë, ai u la i lirë nga gjykata. Punimet e paligjshme vijuan pa u penguar, ndërsa ekspertimi i mëvonshëm zbuloi se objekti ishte bërë funksional si strukturë akomoduese.

Sipas ekspertëve, ndërtesa, e cila në mars 2022 ishte 39 m², në shtator 2024 ishte përfunduar, mobiluar dhe funksiononte si hotel. Gjykata vlerësoi se organizimi funksional i objektit, me recepsion, holl, pesë dhoma, depo dhe poste parkimi, si dhe sipërfaqja prej 255 m², tregonin se ndërtimi ishte kryer për qëllime fitimi dhe jo për banim familjar. Dënimi i Mediu u bazua në nenin 199/a/4 të Kodit Penal, me zbatimin e nenit 406 për uljen e dënimit.