Gjykata Themelore në Pejë shpalli aktgjykimin në rastin e njohur si “Orenda”. Aurona Pelaj u shpall fajtore për përdorim të qëllimshëm të forcës fizike ndaj viktimës. Përveç dënimit me burgim, Pelajt i ndalohet ushtrimi i profesionit të infermieres për pesë vjet.
Në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 2 nëntori deri më 24 nëntor 2022. Pjesa e mbetur e dënimit do të ekzekutohet pas marrjes së formës së prerë të aktgjykimit.
Ndërkohë, e pandehura Altina Rexhepi u lirua nga akuza për bashkëkryerje në këtë incident. Po ashtu, Gjykata refuzoi akuzën për veprën penale “Sulmi” kundër Remzie Kuqit, pasi Prokuroria u tërhoq nga ndjekja penale për këtë pikë.
Rasti “Orenda” shkaktoi reagime të forta në opinionin publik në nëntor 2022 pas publikimit të pamjeve që tregonin keqtrajtimin fizik të një të moshuare nga punonjëse të shtëpisë së pleqve.