Debati mbi rebalancin e Buxhetit 2026 po vazhdon në Komisionin parlamentar për Financim dhe Buxhet. Deputetët kanë dorëzuar mbi 200 amandamente për propozim-ligjin. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, shpjegoi se rebalanci harmonizon projeksionet buxhetore me kushtet e reja ekonomike, siguron fonde për rritjen e pagave, mbështet bujqësinë, mbrojtjen sociale, komunat dhe investimet në infrastrukturë.
Sonja Llukarevska, deputete nga LSDM, u shpreh se rebalanci nuk i adreson sfidat kryesore të qytetarëve, sidomos standardin e jetesës dhe inflacionin. Ajo theksoi se inflacioni po gëlltit pagat, ndërsa buxheti zgjeron konsumin, pa ofruar masa specifike për uljen e inflacionit. Llukarevska shtoi se mbështetja e investimeve nuk duhet të jetë justifikim për transparencë të pamjaftueshme.
Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, vlerësoi se rebalanci i buxhetit nuk ndryshon drejtimin ekonomik, por e forcon atë. Ai theksoi se ky dokument pasqyron përshtatjen e shtetit me zhvillimet reale ekonomike dhe ka për qëllim realizimin e projekteve zhvillimore. Stojanovski tha se investimet kapitale rriten për 5.8 miliardë denarë dhe nënprogramet zhvillimore për mbi 4.2 miliardë denarë, duke përmendur projekte konkrete si rrugë, hekurudha dhe institucione shëndetësore. Ai shtoi se shpenzimet kapitale në pesë muajt e parë të këtij viti janë 44.8 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rebalanci i propozuar rishikon të ardhurat e përgjithshme në 379.5 miliardë denarë, me të ardhurat tatimore në 213.2 miliardë denarë. Të ardhurat jotatimore rriten për rreth 2 miliardë denarë dhe donacionet për rreth 2.7 miliardë denarë. Shpenzimet e përgjithshme janë rishikuar në 425.8 miliardë denarë, me fonde shtesë për subvencione bujqësore (1.4 miliardë denarë), transport hekurudhor, sport dhe standardin e studentëve e nxënësve (500 milionë denarë).