Ilire Dauti, deputete e Lidhjes Shqiptare, ka deklaruar se dy blloqet politike shqiptare, VLEN dhe BDI, po bashkëpunojnë me VMRO-DPMNE-në në procesin e miratimit të Kodit të ri Zgjedhor. Sipas saj, ky bashkëpunim dëmton interesat e shqiptarëve.
Deputetja thekson se Kodi i ri Zgjedhor, i propozuar nga VMRO-DPMNE, përjashton shqiptarët e diasporës nga mundësia e votimit elektronik ose me postë edhe në zgjedhjet lokale. Kjo masë, sipas Dautit, do të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatet zgjedhore në komuna me shumicë shqiptare si Kërçova, Bërvenica dhe Buteli, duke i mundësuar VMRO-së fitore të ardhshme.
Dauti ka komentuar edhe deklaratat e përfaqësuesve të VLEN-it, të cilët shprehen të penduar për mbështetjen e dhënë. Ajo ka ngritur pyetjen se si do ta bllokojnë Komisionin nëse afati ka kaluar dhe LSDM-ja e Levica tërheqin amendamentet e tyre.
Zgjidhja e vetme, sipas deputetes, është mbështetja e amendamenteve të paraqitura nga Lidhja Shqiptare. Këto amendamente synojnë të pengojnë miratimin e dispozitave që kufizojnë të drejtën e votës së mërgatës, duke bllokuar kështu kodin zgjedhor.