Festivali katërditor përfundoi me një ceremoni në ambientet e Sharrcemit. Organizatorët deklaruan se eventi e shndërroi Hanin e Elezit në një qendër të rëndësishme kulturore.
Dita e fundit iu dedikua fëmijëve dhe të rinjve, përmes punëtorive kreative. Si pjesë e aktiviteteve, u realizua një mural artistik, i cili do të shërbejë si vepër publike. Fëmijët prezantuan edhe një shfaqje me kukulla të punuara prej tyre.
Mbrëmja përmbyllëse ofroi një program të pasur, duke përfshirë ekspozitën fotografike “Wild Kosova” me pamje nga natyra e vendit. Hapësira industriale e Sharrcemit u transformua në një galeri të hapur me instalacione dritash, video-art dhe projektime arkitekturore.
Koncerti i Agron Peni Trio shënoi kulmin e mbrëmjes, duke ofruar një atmosferë muzikore. Organizatorët nga OJQ “Dua” e cilësuan festivalin si një sukses, duke lënë kujtime dhe pritshmëri për edicionet e ardhshme.