Politikani Kreshnik Çollaku ka deklaruar se disa individë të përfshirë në organizimin e Kuvendit Kombëtar të protestës, para një viti blinin vota për llogari të kryeministrit Edi Rama. Çollaku nuk përmendi emra, por theksoi se kryeministri Rama kërkon t'i vërë një "kokë" apo "kapelë" protestës.
Sipas Çollakut, forca e protestës ka qenë pikërisht drejtimi i saj anonim dhe gjithëpërfshirja e qytetarëve pa ndarje partiake. Ai vlerëson se Kuvendi Kombëtar është një kurth për të shuar këtë lëvizje. Ai shtoi se një parti politike e re, e krijuar nga protesta, do të zvogëlojë shtrirjen e saj, duke e kthyer në një objektiv politik të thyeshëm.
Çollaku vuri në dukje se ka një insistim nga mazhoranca që protesta të ketë një përfaqësi zyrtare, duke iu referuar deklaratave të fundit nga zyrtarë të mazhorancës për negociata me përfaqësues të protestës. Ai mendon se kjo strategji e zvogëlon fuqinë e lëvizjes dhe e bën atë më të lehtë për t'u manipuluar.