Rritja e çmimeve po ndryshon perceptimin e Shqipërisë si një destinacion pushimesh me kosto të ulët, duke shtyrë pushuesit të krahasojnë ofertat me vende të tjera. Në Dhërmi dhe Jalë, çmimet për një natë luhaten nga 120 deri në 250 euro, ndërsa hotelet me 3 ose 4 yje në Himarë dhe Sarandë kushtojnë 80-150 euro në korrik-gusht.
Akomodimi në apartamente turistike gjithashtu ka pësuar rritje. Në Ksamil, një apartament për katër persona shkon nga 100 deri në 180 euro për natë. Resortet premium dhe vilat në Dhërmi e Jalë mund të arrijnë 300-400 euro ose më shumë për natë. Këto kosto bëjnë që vetëm akomodimi për një javë pushime familjare të shkojë nga 700 deri në 1500 euro.
Shërbimet shtesë gjithashtu kontribuojnë në rritjen e kostove. Një set shezlongësh me çadër kushton 15-30 euro në ditë në shumë plazhe private, ndërsa në zonat ekskluzive të Jalës dhe Dhërmiut mund të arrijë 40-50 euro. Një drekë apo darkë familjare në zonat turistike kushton zakonisht 40-80 euro, por mund të kalojë 100 euro në restorantet bregdetare.
Këto shpenzime të larta bëjnë që shumë pushues shqiptarë të konsiderojnë destinacione jashtë vendit, si Korfuzi, Halkidiki apo paketat “all inclusive” në Turqi. Diferenca e kostos mes pushimeve në jug të Shqipërisë dhe paketimeve jashtë vendit është ngushtuar ndjeshëm, duke ofruar shpesh mundësi më ekonomike jashtë vendit, sidomos me rezervime të hershme.