Çmimet e derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut do të rriten mesatarisht me 1.47%. Benzina Eurosuper BS-95 dhe Eurosuper BS-98 do të shtrenjtohen me 1 denar për litër. Eurosuper BS-95 do të shitet me 85.50 denarë, ndërsa Eurosuper BS-98 me 87.50 denarë.
Dizeli (Eurodizel D-E V) do të shënojë rritjen më të madhe, me 2.5 denarë për litër, duke arritur në 82.50 denarë. Vaji ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) do të rritet me 2 denarë, duke u shitur me 81.50 denarë për litër.
Në kontrast me rritjet, çmimi i mazutit M-1 NS do të ulet me 0.265 denarë për kilogram, duke arritur në 41.230 denarë. Komisioni Rregullator për Energjetikë deklaroi se këto ndryshime vijnë si pasojë e lëvizjeve në tregjet ndërkombëtare dhe kursit të këmbimit të denarit ndaj dollarit amerikan. Çmimet referente globale për benzinat u rritën me 2.576%, për dizelin me 5.201%, dhe për vajin ekstra të lehtë me 4.681%, ndërsa mazuti shënoi rënie prej 0.967%.
Kryeministri kishte paralajmëruar rritje të çmimeve, veçanërisht për dizelin. Opozita, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, reagoi duke theksuar se nuk janë ofruar masa për të mbrojtur qytetarët nga kjo rritje.