Komisioni Evropian ka pranuar se sistemi i ri i regjistrimit të hyrje-daljeve në Bashkimin Evropian (EES) po shkakton probleme serioze në pikat kufitare. Udhëtarët përballen me pritje të gjata dhe vonesa të mëdha gjatë sezonit veror.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se autoritetet në Bruksel janë në dijeni të vështirësive dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me shtetet anëtare për të monitoruar situatën. Megjithatë, Komisioni nuk ka paralajmëruar pezullimin e sistemit.

Sistemi EES regjistron në mënyrë elektronike hyrjen dhe daljen e shtetasve të vendeve jashtë BE-së, duke zëvendësuar vulat tradicionale në pasaporta. Gjatë kontrollit kufitar merren të dhënat biometrike të udhëtarëve, përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografinë e fytyrës.

Zbatimi i sistemit ka shkaktuar kolona të gjata në aeroporte dhe pika kufitare. Shoqatat e aviokompanive dhe aeroporteve evropiane kanë paralajmëruar se në disa raste pritjet zgjasin deri në pesë orë. Shumë pasagjerë kanë humbur fluturimet për shkak të procedurave të ngadalta. Industria e aviacionit i ka kërkuar Komisionit Evropian që t'u lejojë shteteve anëtare ta pezullojnë përkohësisht përdorimin e sistemit kur fluksi i udhëtarëve tejkalon kapacitetet. Pa masa shtesë dhe më shumë personel, situata mund të përkeqësohet gjatë kulmit të sezonit turistik në korrik dhe gusht.

Edhe kompania ajrore Ryanair ka bërë thirrje për shtyrjen e zbatimit të plotë të sistemit deri në përfundim të sezonit veror. Ajo argumenton se infrastruktura aktuale në shumë aeroporte nuk është e gatshme për kontrollet e reja biometrike.