Banorët e fshatit Brezne, në komunën e Dragashit, po përballen me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm. Kjo situatë vjen si pasojë e defekteve të përsëritura në gypin transportues të ujësjellësit të ri, i cili shërben këtë zonë.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Hidroregjioni Jugor” ka bërë të ditur se mirëmbajtja e këtij sistemi të ri të ujësjellësit nuk është në kompetencë të saj. Sipas njoftimit të lëshuar nga KRU, punimet për sanimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit normal po kryhen nga kompania që ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen e këtij ujësjellësi.
KRU “Hidroregjioni Jugor” ka informuar se operatori përgjegjës është duke punuar për eliminimin e këtyre defekteve. Pas përfundimit të ndërhyrjeve dhe riparimit të plotë, pritet të rikthehet furnizimi i rregullt me ujë për të gjithë qytetarët e Breznes. Kompania ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin gjatë kësaj periudhe.