Të mbjellat në rajonin e Shkupit, Strumicës dhe Pelagonisë janë dëmtuar rëndë nga breshri. Fermerët raportojnë humbje të pjeprit në fshatin Shishovë, shalqinë gati për treg në Strumicë dhe duhanin në Pelagoni. Ata kërkojnë nga institucionet të vlerësojnë dëmet dhe të ndërmarrin masa për kompensim.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se dëmet do të kompensohen, por nuk dha detaje të mëtejshme. Përveç dëmeve në bujqësi, reshjet kanë prekur edhe infrastrukturën rurale, duke dëmtuar rrugë lokale dhe sisteme kulluese. Autoritetet kanë formuar shtabe krize dhe pritet që inspektorët të dalin në terren për një vlerësim të plotë.
Disa fermerë në rajone të ndryshme raportojnë se ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet e viteve të kaluara për dëme të ngjashme.