Në këtë masakër, forcat naziste, të ardhura nga Greqia, ekzekutuan gra, fëmijë, foshnja dhe të moshuar. Kujtimi i ngjarjes mbetet i gjallë për të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave.

Jorgjia Simo Leka, e cila ishte shtatë vjeç në kohën e masakrës, humbi para syve të saj nënën, babanë, motrat dhe vëllezërit. Ajo ka ndarë dëshminë e saj me ambasadorin gjerman në Shqipëri. Josif Minga, një tjetër banor, humbi pesë pjesëtarë të familjes në këtë tragjedi.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, shprehu dhimbjen e tij dhe të popullit gjerman për këtë ngjarje. Ai theksoi se masakra mbetet një plagë e dhimbshme, e kryer në emër të Gjermanisë.

Çdo vit, homazhe zhvillohen në varrezat e dëshmorëve të Borovës. Familjarë të viktimave, banorë, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror, bashkë me diplomatë, nderojnë kujtimin e 107 banorëve të vrarë në këtë ngjarje tragjike të historisë shqiptare.