Iniciativa, e propozuar nga këshilltarja Darja Mustafaoglu e Levicës, nuk u vendos as në rendin e ditës për diskutim. Ajo theksoi se qytetarët nuk duhet të paguajnë për kaosin e transportit publik, veçanërisht kur ndërrimi i autobusëve kërkon dy bileta për të arritur në destinacion, siç ndodh nga Vollkova në Bit Pazar.

Mustafaoglu vuri në dukje se praktika e biletës me vlefshmëri kohore është e zakonshme në shumë vende evropiane, ku qytetarët mund të përdorin disa mjete transporti brenda një periudhe të caktuar. Shumica në Këshill, e formuar nga VMRO-DPMNE dhe VLEN, votoi kundër këtij propozimi.

Shkupi aktualisht përballet me mungesën e një transporti të rregullt urban. Premtimet e kryetarit Orce Gjorgjievski për zgjidhjen e problemit dhe blerjen e autobusëve të rinj nuk janë realizuar. Tenderi i shpallur nga Ministria e Transportit ka dështuar dy herë, duke bërë të pamundur blerjen e autobusëve të rinj këtë vit.

Gjorgjievski ka njoftuar vazhdimin e projektit të Transportit të Shpejtë me Autobus (BRT), një projekt i nisur nga ish-kryetari Petre Shilegov. Ky projekt u kritikua nga këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në të kaluarën. Zbatimi i tij pritet të zgjasë disa vite, duke lënë të hapur problemin e transportit publik në Shkup për një kohë.