Bashkësia Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut i është drejtuar publikut me një kërkesë zyrtare për ndalimin e përdorimit të figurës së Reisul Ulemasë për reklama tregtare në platformat digjitale. Kjo kërkesë vjen pas shfaqjes së përmbajtjeve të tilla në rrjetet sociale, ku janë shfrytëzuar pamja dhe zëri i Reisul Ulemasë së BFI-së, Hfz. H. Shaqir ef. Fetahi.

BFI-ja sqaroi se këto reklama nuk janë pjesë e komunikimit të saj zyrtar dhe nuk kanë marrë miratim apo autorizim nga Reisul Ulemaja. Sipas BFI-së, përdorimi i identitetit të tij në këtë mënyrë përbën mashtrim për publikun dhe dëmtim të dinjitetit të institucionit. Të gjitha aktivitetet zyrtare të BFI-së publikohen vetëm në faqet zyrtare të institucionit.

Bashkësia Fetare Islame paralajmëroi se do të ndjekë të gjitha rrugët institucionale dhe juridike për të mbrojtur autoritetin e Reisul Ulemasë, integritetin e institucionit dhe besimin e publikut. Ata gjithashtu u kërkuan platformave digjitale të fshijnë përmbajtjet e rreme.