Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kundërshtoi nismën e mazhorancës për ndryshime kushtetuese, të cilat synojnë zgjatjen e mandatit të prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Berisha iu përgjigj deklaratës së Ulsi Manjës, kryetar i Komisionit të Ligjeve, duke e akuzuar Manjën si “peng i dosjes” dhe se ka marrë 600 mijë euro nga “çunat e Londrës”, si dhe ka kërkuar një çantë Louis Vuitton. Berisha pretendoi se ndaj Manjës ekzistojnë çështje penale të hapura dhe se ai do të përballej me 8 deri në 12 vite burg nëse do të hetohej. Këto pretendime, sipas Berishës, qarkullojnë në media.

Gjatë deklaratës, Berisha u pyet edhe për urimin e ditëlindjes së 60-të të Kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se “urimin më të mirë ia bëri protesta rinore e 4 korrikut” dhe se ai i bashkohet zërit të kësaj proteste.