Zoti Berisha, në një intervistë për “Truth Times”, theksoi se protestat 39-ditore në Tiranë, të udhëhequra nga të rinjtë, janë kryengritja më domethënëse që nga rënia e komunizmit. Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit Rama.
Ai argumentoi se Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në kontinent dhe kartelat shqiptare të kokainës shërbejnë si transportuesit kryesorë të drogës nga Amerika Latine drejt Evropës. Sipas tij, këto kartela kontrollojnë mbi 63% të tregut në Mbretërinë e Bashkuar. Berisha pohoi se lidhjet e drejtpërdrejta mes qeverisë shqiptare dhe Ramës personalisht me këto kartele janë “provuar përfundimisht”.
Lideri i opozitës lidhi këto pretendime me 532 projekte sekrete, duke thënë se hetimi i transaksioneve, pronarëve dhe zhvilluesve të tyre do të vërtetonte se Rama e ka dorëzuar Shqipërinë dhe projektet karteleve të drogës. Qeveria i ka hedhur poshtë këto akuza, ndërsa asnjë prej tyre nuk është vërtetuar në gjykatë.
Zoti Berisha gjithashtu shtjelloi tezën e mungesës së legjitimitetit të Ramës për të qeverisur. Ai e krahasoi Ramën me ish-presidentin tunizian Ben Ali, duke pretenduar se mandati i katërt i kryeministrit u sigurua përmes arrestimit të liderëve opozitarë dhe shkeljes së ligjeve zgjedhore. Ai shtoi se Rama, anëtarë të familjes së tij dhe ministra të afërt përballen me akuza të rënda korrupsioni dhe se kryeministri ka bllokuar arrestimin e tyre nga prokuroria.
Zgjidhjet e propozuara nga Berisha mbeten dorëheqja e Kryeministrit Rama dhe formimi i një qeverie kujdestare jopartiake për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme.