Berisha, përmes një video-mesazhi, theksoi se protesta e zhvilluar dje në Tiranë përsëriti 20 shkurtin e vitit 1991. Ai shtoi se qindra mijëra protestues organizuan simbolikisht “funeralin politik” të Edi Ramës.
Sipas Berishës, ky veprim ishte i ngjashëm me përmbysjen e shtatores së Enver Hoxhës në vitin 1991. Ai akuzoi kryeministrin Rama se, në vend të dorëheqjes, urdhëroi promovimin e “suksesit” dhe anatemonte protestën qytetare.
Kryetari i PD-së kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe plotësimin e pesë kërkesave të protestuesve, të cilat janë edhe kërkesa të Partisë Demokratike. Berisha shprehu mirënjohje për qindra mijëra shqiptarë që protestuan dhe garantoi mbështetjen e PD-së për kërkesat e tyre.
Ai denoncoi qëndrimin “indiferent, kërcënues dhe fyes” të Ramës dhe paralajmëroi kryeministrin të lirojë të arrestuarit dhe të heqë dorë nga dhuna. Berisha theksoi se “fuqia nukleare i takon popullit” në përballje dhe se ajo është shkatërrimtare për regjimin.