Këto deklarata Berisha i bëri gjatë paraqitjes në SPAK, në kuadër të masës “detyrim paraqitje”. Sipas Berishës, Manja është “skllav i dosjeve” të tij, të cilat përmbajnë regjistrime për shuma parash dhe kërkesa për dhurata luksoze.
Berisha theksoi se Ulsi Manja do të përballet me një dënim prej 8 deri në 12 vitesh burg, nëse çështja hetohet plotësisht. Ai shtoi se Manja është i gatshëm për çdo kompromis për t'i shpëtuar kësaj dosjeje. Po ashtu, Berisha përmendi implikimin e familjarëve të Manjës në afera korruptive, duke iu referuar të dhënave mediatike.
Lidhur me ditëlindjen e Kryeministrit Edi Rama, Berisha deklaroi se “urimin më të shkëlqyer ia bëri protesta rinore dhe qytetare e datës 4 korrik”. Ai e krahasoi këtë protestë me tubimet historike të 20 shkurtit 1991, duke vlerësuar “kreativitetin më madhështor” të saj. Berisha tha se “bashkon zërin e tij me protestën” si përgjigje për urimin drejtuar Ramës.