Shtetasit R.L. dhe E.V. akuzohen për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur. Shtetasi K.D. është dërguar në gjyq për “Moskallëzim të krimit”.
Hetimet provuan se R.L. dhe E.V. organizuan dhe mundësuan shfrytëzimin për prostitucion të shtetases me iniciale Y.Sh. Y.Sh. ka dëshmuar se ushtronte prostitucion dhe bashkëjetuesi i saj, R.L., ishte në dijeni të plotë, merrte të ardhurat dhe në disa raste siguronte klientë. R.L. pranoi se e shtyu bashkëjetuesen të ofronte shërbime seksuale kundrejt pagesës për shkak të vështirësive ekonomike.
Klientët, sipas akuzës, siguroheshin nga E.V., pronar i lokalit të natës “Star”, ku Y.Sh. punonte si balerinë. Prokuroria pretendon se punësimi i saj shërbente si mbulesë për shfrytëzim seksual të klientëve të lokalit me qëllim përfitimi financiar.
R.L. kishte rolin kryesor në organizim, duke përcaktuar klientët, vendin e shërbimeve, çmimet dhe duke përfituar materialisht. E.V. dyshohet se ndihmoi duke vënë në dispozicion ambientet dhe ndërmjetësuar klientët.