Mbrojtësi dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, iu bashkua ekipit të Atalantës për nisjen e përgatitjeve në qendrën stërvitore të Zingonias. Klubi hapi siparin e sezonit 2026/27 me vizita mjekësore dhe testime fizike, duke filluar më herët për shkak të ndeshjes së parë në Ligën e Konferencës më 20 gusht.

Gjimshiti ndodhet në vitin e fundit të kontratës dhe ende nuk ka arritur një marrëveshje për rinovim. Kjo situatë ka ngjallur interesin e disa klubeve të Serisë A. Juventusi e ka vlerësuar Gjimshitin si një profil ideal për mbrojtjen. Edhe Roma, nën drejtimin e ish-trajnerit të Atalantës, Gian Piero Gasperini, është e interesuar. Gasperini e njeh mirë Gjimshitin, pasi ishte ai që e ktheu në një lider të skuadrës dhe e udhëhoqi në suksesin historik të Ligës së Evropës.

Aktualisht nuk ka negociata konkrete apo marrëveshje të avancuara, por emri i Gjimshitit pritet të jetë në qendër të merkatos. Pavarësisht spekulimeve, Gjimshiti është një nga futbollistët me më shumë paraqitje në historinë e Atalantës. Ai ka kontribuar në kualifikimet europiane, rritjen e klubit dhe fitimin e Ligës së Evropës. Me ardhjen e trajnerit të ri, Mauricio Sarri, Gjimshiti pritet të ketë një rol kyç në prapavijën e Atalantës.