Takimi u zhvillua në restorantin Coin, në katin e fundit të godinës ABA 21. Pas përfundimit të drekës, Balluku dhe Yeffet u larguan me automjetet e tyre private.
Nuk u dha asnjë informacion mbi arsyen e këtij takimi apo temat e diskutuara.
Ron Yeffet është një figurë e njohur në debatet politike dhe mediatike në Shqipëri, veçanërisht për përfshirjen e tij në projekte të industrisë së mbrojtjes. Emri i tij është lidhur publikisht me kompaninë KAYO.
Më parë, kreu i opozitës, Sali Berisha, ka pretenduar se Yeffet i ishte besuar drejtimi i ndërmarrjes shtetërore të naftës nga Kryeministri Edi Rama. Berisha e ka përshkruar Yeffet si një tregtar armësh, duke pretenduar gjithashtu lidhje të tij me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Së fundmi, emri i Yeffet u shfaq në një padi civile të depozituar në Gjykatën e Miami-Dade në SHBA. Biznesmeni amerikan Mark Faist pretendon në padi se u mashtrua nga Ron Yeffet dhe kompania e tij R&I Trading për të investuar mbi 8.6 milionë dollarë në projekte të pasurive të paluajtshme në Nju Jork, pa marrë kthim investimi.