Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë, Bekim Sali, u shpreh sot në Dibër kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas tij, një proces i tillë, që përfshin edhe një qeveri teknike, do të shkaktonte ngecje në funksionimin e institucioneve.

Sali theksoi se VLEN-i ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në zgjedhje, nëse ato mbahen. Megjithatë, ai vlerëson se zgjedhjet, nga ana teknike dhe organizative, duhet të zhvillohen në prill të vitit 2028, sipas kalendarit të rregullt.

Ai deklaroi se shteti duhet të ecë përpara dhe të zhvillohet, duke mos iu nënshtruar dëshirave të opozitës. Zëvendëskryeministri theksoi se qeveria ka përgjegjësinë të realizojë të gjitha projektet e premtuara për qytetarët.

Sali përmendi si shembull marrëveshjen e nënshkruar për rrugën Shkup – Bllacë, si dhe projekte të tjera në fazën e nënshkrimit ose në zhvillim e sipër. Gjatë vizitës në Dibër, ai takoi kryetarin e komunës, Fisnik Mela, dhe inspektuan punimet ndërtimore në bulevardin e vendbanimit “Venec 2”.