Këngëtarja Bebe Rexha ka shpjeguar prapaskenat e krijimit të këngës “New Religion”, pjesë e albumit të saj të ri, “Dirty Blonde”. Ajo deklaroi se marrja e aprovimit për të përdorur një “sample” nga kënga legjendare e viteve ’90, “Insomnia” e grupit britanik Faithless, kërkoi kohë dhe angazhim të konsiderueshëm.
Në një intervistë për revistën PAPER, Rexha theksoi se procesi ishte i gjatë dhe në një moment ishte e pasigurt nëse do të merrte lejen. Për këtë qëllim, ajo komunikoi drejtpërdrejt me Rollo dhe Sister Bliss, dy anëtarë kyç të Faithless. Bebe Rexha tregoi se ishte takuar edhe me Sister Bliss për një "brunch", me qëllim që ta njihte më mirë dhe të ndërtonte një marrëdhënie. Ajo shprehu mirënjohje që Faithless lejoi përdorimin e “sample”-it.
“Insomnia” njihet si një ndër këngët ikonë të muzikës elektronike të viteve ’90. Kënga “New Religion” e Bebe Rexhës përshkruhet si një pjesë energjike dance/EDM, që ruan thelbin hipnotik të origjinalit, duke e sjellë atë në kontekstin e saj muzikor. Ky bashkëpunim shënon një kapitull të ri artistik për këngëtaren pas kalimit në një marrëveshje të pavarur me Empire.
Albumi “Dirty Blonde” debutoi në vendin e parë në klasifikimin Billboard Top Dance Albums, duke shitur 19 mijë njësi ekuivalente në javën e parë.