Bashkimi Evropian përsëriti keqardhjen për mosveprimin e Serbisë ndaj përgjegjësve për sulmin në Banjskë të vjeshtës së vitit 2023. Zyrtarët e BE-së kanë kërkuar vazhdimisht nga autoritetet serbe të marrin masa, por nuk ka pasur sanksione konkrete ndaj Serbisë.

Zëdhënësi i BE-së deklaroi se organizata shpreh keqardhje sepse Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e domosdoshëm për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet në veri të Kosovës. Kjo deklaratë vjen pas publikimit të dëshmive në media, të cilat sugjerojnë se Milan Radoiçiq, i cilësuar si përgjegjës kryesor i sulmit dhe nga BE-ja si sulm terrorist, është i mbrojtur nga struktura të lidhura me pushtetin në Serbi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më parë ka deklaruar se nuk e konsideron Radoiçiqin kriminel. Mediat kanë publikuar fotografi ku pjesëtarë të xhandarmërisë së Serbisë shfaqen në shoqërinë e Zvonko Veselinoviqit, duke ngritur dyshime për mbrojtjen e Milan Radoiçiqit.

Disa vende anëtare të BE-së vazhdojnë të insistojnë që të mos avancohen negociatat e anëtarësimit me Serbinë, për shkak të problemeve në sundimin e ligjit dhe në raportet me Kosovën.