Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, njoftoi se kjo çështje është në agjendën e takimit. Diskutimet vijnë një ditë përpara mbledhjes së Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), ku pritet të vazhdojnë përpjekjet për emërimin e pasuesit të Christian Schmidt, i cili dha dorëheqje në maj.

Përfaqësuesi i lartë mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe siguron funksionimin e institucioneve shtetërore. Bordi Drejtues i PIC-ut emëron Përfaqësuesin e Lartë, i cili më pas konfirmohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. PIC nuk arriti marrëveshje në mbledhjen e 30 qershorit, me synimin që emërimi të bëhet deri më 14 korrik.

Procesi po shoqërohet me mospajtime mes SHBA-së dhe BE-së, si për kandidatin, ashtu edhe për të ardhmen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR). PIC ka emëruar diplomatin amerikan, Louis Chrishock, si përfaqësues të përkohshëm deri në arritjen e një marrëveshjeje. Shtetet e Bashkuara mbështesin diplomatin italian, Antonio Zanardi Landi, ndërsa disa vende të BE-së favorizojnë diplomatin francez, Rene Trocaz. Departamenti amerikan i Shtetit ka theksuar mbështetjen për integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Marrëveshjen e Dejtonit, duke pritur një pajtim të shpejtë nga vendet evropiane.