Protesta, e dyta e organizuar nga BDI pas vendimit, nisi në orën 20:00 nga sheshi i qytetit drejt komunës. Pjesëmarrës nga Tetova dhe Çairi mbanin pankarta me mesazhe si “Historia nuk abrogohet” dhe “Edhe rrugët flasin shqip”, duke akuzuar partnerin shqiptar në qeveri për heshtje ndaj diskriminimit.

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi më 17 qershor 2024 vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007, me të cilin sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht. Vendimi u mor pas një nisme të paraqitur nga Lidhja e Luftëtarëve Antifashistë.

Gjykata konstatoi se nuk kishte dëshmi që komuna kishte dorëzuar kërkesë për pëlqim te Qeveria, siç parashikohet nga neni 5, paragrafi 2 i Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Megjithëse neni 73 i Ligjit për vetëqeverisjen lokale thekson se pëlqimi konsiderohet i pranuar nëse nuk jepet brenda 60 ditëve, mungesa e dokumentit të kërkesës ishte përcaktuese.

Nga Komuna e Tetovës dhe Qeveria nuk u gjetën dëshmi për një kërkesë zyrtare të dorëzuar nga komuna në periudhën 2006-2007. Procesi i riemërimit të rrugëve ka nisur sërish në vitin 2022, por ende nuk ka një epilog konkret, me grupin e punës të riformuar në janar të këtij viti.