BDI thekson se kjo situatë dërgon një mesazh të gabuar, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke cenuar parimet mbi të cilat është ndërtuar shteti. Sipas partisë, mungesa e shqiptarëve në delegacionin zyrtar nuk është vetëm një çështje protokolli, por pasqyron një qasje politike që bie ndesh me karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Në reagimin e saj, BDI thekson se një mentalitet i tillë e sheh shtetin si pronë të një etnie, ndërsa shqiptarët vetëm si dekor të brendshëm. Partia opozitare rikujton se Maqedonia e Veriut është ndërtuar mbi parimin e bashkëjetesës ndëretnike. Anëtarësimi në NATO, sipas tyre, është rezultat i një arkitekture politike të bazuar në barazi, përfaqësim dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
BDI nënvizon se delegacionet shtetërore në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare duhet të reflektojnë përbërjen reale të shtetit. Përjashtimi i shqiptarëve nga përfaqësimi në nivelin më të lartë ndërkombëtar dëmton imazhin e shtetit. Kjo krijon një perceptim të gabuar te qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë. Një shtet nuk mund të pretendojë përfaqësim të plotë nëse një pjesë e rëndësishme e realitetit politik dhe shoqëror lihet jashtë institucioneve përfaqësuese.