BDI kërkon transparencë të plotë mbi procedurën që çoi në shfuqizimin e vendimit të vitit 2007 për emrat e rrugëve. Bejza Abdiu, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, theksoi se Gjykata Kushtetuese konstatoi që Komuna e Tetovës nuk dorëzoi dokumentacionin e plotë të kërkuar në katër raste brenda një viti. Po ashtu, Qeveria nuk u përgjigj në tre raste.

Abdiu citoi nenin 73 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, i cili përcakton se nëse Qeveria nuk përgjigjet brenda 60 ditëve, pëlqimi konsiderohet i dhënë. Sipas BDI-së, mosdorëzimi i provave nga Komuna se kërkesa për pëlqim i ishte dërguar Qeverisë, ngre dyshime serioze për një "pazar politik" mes Qeverisë dhe pushtetit lokal në Tetovë.

BDI akuzon Komunën e Tetovës, duke theksuar se kryetari Bilal Kasami mban përgjegjësi të plotë politike për këtë situatë. Partia pret një përgjigje të shpejtë brenda afatit ligjor për kërkesën e saj.