Ajdari informoi se bisedimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dështuan për shkak të tërheqjes së disa partive politike nga marrëveshjet paraprake. BDI ka qenë pjesë aktive e grupit të punës për muaj të tërë, ku u arritën kompromise për çështje kyçe.
Ajo shtoi se pas dorëzimit të propozimit të dakorduar në Kuvend, VMRO-DPMNE u tërhoq nga dy pika thelbësore. E para, kërkesa për votim me postë për diasporën në vend të votimit elektronik. E dyta, kërkesa që rregulloret e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për votimin elektronik të diasporës të miratohen me shumicë votash, në vend të konsensusit.
Për BDI-në, këto ndryshime janë të papranueshme, pasi hapin hapësirë për inxhinieri politike dhe mbivotim, siç sipas saj ndodhi në vitin 2024 me anëtaren e KSHZ-së, Ditmire Shehu. Ajdari theksoi se çdo ndryshim i Kodit Zgjedhor kërkon konsensus ndëretnik dhe ndërpartiak, duke theksuar se BDI nuk do të pranojë zgjidhje të njëanshme që shkelin barazinë politike dhe besimin në procesin zgjedhor.