Partia ngriti shqetësime serioze lidhur me dhënien e një kontrate prej 19.3 milionë eurosh kompanisë kroate "Dalekovod" për ndërtimin e interkoneksionit energjetik me Shqipërinë. Kjo vjen pasi MEPSO aktivizoi garancinë bankare të të njëjtës kompani vitin e kaluar, për shkak të problemeve në projektin e linjës së transmetimit Shkup–Veles, siç raportoi televizioni Telma.
BDI i ka kërkuar drejtorit të MEPSO-s, Burim Latifi, të ofrojë shpjegime publike për këtë situatë. Sipas partisë, kjo ngre dyshime për aftësinë e kompanisë "Dalekovod" për të përfunduar projektin me Shqipërinë në kohë, duke e cilësuar veprimin e MEPSO-s si “absurd”.
Po ashtu, BDI shprehu shqetësim për përbërjen e konsorciumit që fitoi kontratën e re. Partia thekson se në konsorcium marrin pjesë kompani me indicie për lidhje me strukturat e afërta me Milorad Dodikun dhe Aleksandar Vuçiqin. Kjo kontratë pasoi ndërprerjen e mëparshme të MEPSO-s me "Energoinvest", duke rrezikuar dëmshpërblim prej miliona eurosh në gjykatat ndërkombëtare.
BDI ka paralajmëruar më herët për mënyrën e menaxhimit të MEPSO-s nën drejtimin e Latifit. Partia i bën thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Energjetikës të nisin një revizion të pavarur të vendimeve të MEPSO-s dhe të verifikojnë procedurat e përzgjedhjes së kontraktorit, si dhe të publikojnë informacionet mbi lidhjet financiare dhe afariste.