Faton Aliti, anëtar i Kryesisë Qendrore të BDI-së, deklaroi se ky emërim nuk është ndryshim i zakonshëm kadrovik, por pjesë e një procesi të vazhdueshëm për relativizimin e shtyllave të Marrëveshjes së Ohrit. Sipas BDI-së, Stoilkoviq ishte më parë në krye të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, institucion që historikisht lidhet me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Transferimi i Stoilkoviqit në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale nuk është rastësi, pasi ky institucion administron decentralizimin dhe organizimin territorial të vendit, theksoi Aliti. Këto janë dy shtylla thelbësore të Marrëveshjes së Ohrit. Debatet për uljen e numrit të komunave nga 80 në 50, sipas BDI-së, nuk janë reforma administrative, por ndërhyjnë drejtpërdrejt në arkitekturën politike të krijuar pas konfliktit të vitit 2001.

Reduktimi i komunave do të cenonte balancën politike, etnike dhe institucionale. Aliti i bëri thirrje Qeverisë të mos hapë debat për ndryshimin e ndarjes territoriale të vitit 2004, duke e cilësuar si “vijë të kuqe” për shqiptarët. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të ndryshuar ndarjen territoriale do të përballet me kundërshtim politik, institucional dhe qytetar. Marrëveshja e Ohrit, sipas BDI-së, mbetet themel kushtetues dhe politik, dhe çdo ndërhyrje do të ketë pasoja serioze.