BDI thekson se personi i emëruar nuk plotëson kriteret ligjore për këtë pozitë, veçanërisht sa i përket përvojës profesionale dhe menaxheriale. Sipas partisë, ligji kërkon minimum tetë vite përvojë profesionale dhe katër vite në pozicion udhëheqës, kritere të cilat janë injoruar qëllimisht.
Në reagimin e saj, BDI thekson se zëvendësdrejtori i ri ka diplomuar në vitin 2024, ndërsa ka përvojë pune kryesisht në tregti me tekstile dhe asnjë ditë në gazetari. Ky fakt, sipas BDI-së, shkel drejtpërdrejt dispozitat ligjore që rregullojnë kualifikimet për një funksion të tillë.
BDI ngre pyetjen se si i njëjti kandidat, i cili një muaj më parë nuk i plotësonte kushtet dhe konkursi u anulua, sot konsiderohet i kualifikuar. Partia opozitare i kërkon Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të hetojë dhe anulojë menjëherë këtë emërim. Po ashtu, i bën thirrje Prokurorisë të veprojë për të hetuar përgjegjësinë penale të anëtarëve të Këshillit Programor.
BDI ka bërë thirrje edhe organizatave profesionale të medias dhe faktorëve ndërkombëtarë të reagojnë ndaj politizimit të RTVM-së, duke theksuar se institucionet publike nuk duhet të shndërrohen në pronë të partive politike.