Kosova e mbylli me humbje raundin e parë të parakualifikimeve për Eurobasket 2029. Ndeshja ndaj Sllovakisë, e luajtur të dielën pasdite, përfundoi me rezultatin 86:83 në favor të vendasve.
Edhe pse sllovakët udhëhoqën pjesën më të madhe të kohës, loja u bë dramatike në fund. Drilon Hajrizi i dha Kosovës epërsinë 80:79, 3:57 minuta para përfundimit, dhe më pas shënoi për 83:81. Sllovakia barazoi në 83:83, 44 sekonda para fundit. Dardan Berisha ishte i pasaktë në aksionin pasardhës, ndërsa Dalibor Hlovak shënoi një trepikësh, 11 sekonda para fundit, duke siguruar fitoren 86:83. Dy gjuajtje të lira të pasakta nga Divine Myles vulosën rezultatin.
Te Kosova, Drilon Hajrizi u dallua me 20 pikë, tetë kërcime dhe katër asistime. Divine Myles shënoi 17 pikë dhe pati katër asistime. Kapiteni Dardan Berisha realizoi 14 pikë, por me shumë gjuajtje të humbura. Lis Shoshi kontribuoi me nëntë pikë dhe 13 kërcime, ndërsa Musab Mala me 11 pikë dhe pesë kërcime.
Sllovakia e fitoi grupin me katër fitore, duke avancuar në raundin e dytë të parakualifikimeve. Kosova e përfundoi garën me një fitore dhe tri humbje, duke u renditur në raundin e tretë të parakualifikimeve si një nga ekipet më të dobëta, duke pasur kështu edhe një shans për avancim. Kjo kampanjë shënon një tjetër cikël të pasuksesshëm për basketbollin kosovar, i cili ka kaluar me sukses vetëm një herë një fazë kualifikuese.