Zëvendëskryeministrja Balluku ishte akuzuar nga SPAK për paracaktim tenderash, korrupsion dhe pastrim parash. Bardhi theksoi se mbrojtja politike e zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion vështirëson procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu Kuvendin e Shqipërisë, duke deklaruar se ai është zhveshur nga funksioni i kontrollit dhe mbikëqyrjes së qeverisë. Sipas Bardhit, Kuvendi është kthyer në një noter të vendimeve të ekzekutivit. Ai përmendi refuzimin e mazhorancës për të zhvilluar një debat parlamentar mbi Rezolutën e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, duke shprehur se kjo nuk përputhet me standardet demokratike evropiane.

Bardhi nënvizoi se Parlamenti shqiptar nuk udhëheq procesin e integrimit evropian, pasi nuk ushtron funksionet kushtetuese për të cilat është zgjedhur. Këto përfshijnë mosmarrjen e nismave ligjvënëse, pamundësinë për të siguruar llogaridhënie të qeverisë dhe mungesën e kontrollit efektiv mbikëqyrës. Ai vuri në dukje se pesë kërkesa të opozitës për komisione hetimore parlamentare janë refuzuar, dhe asnjë nga 11 interpelancat e kërkuara me Kryeministrin nuk është zhvilluar.

Integrimi evropian, shtoi Bardhi, nuk matet vetëm me ligje apo kapituj, por edhe me funksionimin e institucioneve demokratike. Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për një Parlament që ushtron plotësisht funksionet e tij kushtetuese, për një proces integrimi më të shpejtë dhe të besueshëm.