Zoti Bardhi theksoi se opozitës i mohohen instrumentet parlamentare. Mungesa e llogaridhënies po dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai shtoi se Kuvendi funksionon si noter i vendimeve të qeverisë.
Sipas Bardhit, shumica parlamentare refuzoi debatin e kërkuar nga opozita mbi Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë. Kjo rezolutë ngre shqetësime serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike. Ai tha se Kuvendi nuk merr nisma ligjvënëse, nuk siguron llogaridhënie të qeverisë dhe nuk ushtron kontroll efektiv.
Gjithashtu, zoti Bardhi denoncoi se asnjë nismë ligjore e opozitës, bazuar në rekomandimet e Parlamentit Europian, nuk është shqyrtuar. Nga 11 interpelanca të kërkuara me Kryeministrin gjatë këtij sesioni, asnjëra nuk është zhvilluar. Pesë kërkesa të opozitës për komisione hetimore parlamentare janë refuzuar. Bashkimi i Komisionit për Integrimin Europian me atë të Politikës së Jashtme, dhe kthimi i drejtimit te shumica, zhduku mekanizmin e mbikëqyrjes së pavarur parlamentare.