Takimi u zhvillua në restorantin Coin, në katin e fundit të godinës ABA 21. Pas përfundimit të drekës, Balluku dhe Yeffet u larguan me automjetet e tyre private. Nuk është bërë i ditur asnjë detaj mbi arsyen apo temat e diskutimet gjatë drekës.

Ron Yeffet është një figurë e njohur në debatet politike dhe mediatike shqiptare. Ai është përmendur për përfshirjen e tij në projekte të industrisë së mbrojtjes. Emri i tij është lidhur publikisht me kompaninë KAYO.

Më herët, kreu i opozitës Sali Berisha ka deklaruar se kryeministri Edi Rama i kishte besuar Yeffet drejtimin e ndërmarrjes shtetërore të naftës, duke e cilësuar atë si tregtar armësh. Po ashtu, Berisha ka pretenduar se Yeffet ka lidhje të afërta me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Yeffet është përmendur edhe në një padi civile të depozituar në Gjykatën e Miami-Dade në Shtetet e Bashkuara. Paditësi, biznesmeni amerikan Mark Faist, pretendon se Yeffet dhe kompania e tij R&I Trading e bindën atë të investonte mbi 8.6 milionë dollarë në projekte të pasurive të paluajtshme në Nju Jork, me premtime për fitime të sigurta dhe mundësi tërheqjeje të investimit. Sipas padisë, këto premtime nuk u realizuan dhe Faist nuk mori kthim të investimit.